Bashkimi Evropian dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme dhe është e nevojshme që Beogradi ta sigurojë për kursin e tij strategjik, u tha në Bruksel më 24 prill, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të udhëtojë për në Moskë për shënimin e Ditës së Fitores.
Në përgjigje të një pyetjeje të dërguar nga mediat, një përfaqësues i Komisionit Evropian shtoi se Bashkimi Evropian ka qenë plotësisht i qartë me partnerët e tij, përfshirë shtetet kandidate si Serbia.
“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen mbi parimin e ‘punës si zakonisht’ me regjimin e Vladimir Putin, veçanërisht pas agresionit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm ndaj Ukrainës”, shtoi në përgjigjen e tij të shkruar përfaqësuesi i Zyrës për Zgjerimin dhe Partneritetin Ndërkombëtar, Guillaume Mercier.
Vuçiq deklaroi më 23 prill se nuk ka ndryshuar qëndrim “pavarësisht presioneve” dhe se do të udhëtojë në Moskë më 9 maj, për paradën që do të organizohet për përvjetorin e 80-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
“Me presidentin Putin kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të hapur, të sinqertë dhe miqësore, që nuk është gjithmonë e lehtë dhe e thjeshtë, sepse nuk jemi gjithmonë në një mendje, por besojmë njëri-tjetrit kur themi diçka”, tha Vuçiç.
Ai gjithashtu shtoi se ka shumë mundësi që në Moskë të udhëtojë vetëm.
“Ne duam që qeveria Gjuro Macut të paguajë çmimin, dua që ai të ketë mundësinë të punojë me Bashkimin Evropian ashtu siç duhet dhe askush të mos mund t’i thotë asgjë. Ka pak gjasa që ushtria e Serbisë të shkojë sepse do të përballej me sulme dhe sanksione të ndryshme”, deklaroi ai.
Udhëtimi i parë i presidentit të Serbisë në Rusi, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës para tre vjetësh, u bë publik nga ai në fillim të marsit, pas një bisede telefonike që Vuçiq zhvilloi me Putinin.