Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi të dielën se i ka dhënë mandatin Prof. Gjuro Macut (o. Đuro) për të formuar qeverinë e re. “Ai më ka garantuar se mund të sigurojë shumicën në Parlament për të zgjedhur qeverinë e re,” theksoi z. Vuçiq.
Qeveria serbe është lëkundur për shkak të trazirave politike disamujore, që kur ish-kryeministri Milosh Vuçeviq dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhanë dorëheqjen në janar pas protestave, kryesisht të organizuara nga studentët, që kanë pasuar aksidentin vdekjeprurës me 16 viktima në stacionin hekurudhor të Novi-Sadit, nëntorin e kaluar.
Prof. Macut është një akademik, studiues dhe mjek endokrinolog me karrierë të gjatë, si edhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, që flet shpesh në medie për tema të shëndetit. Ai u shfaq në muajin janar si anëtar i Komitetit Nismëtar për krijimin e një lëvizjeje jopartiake në Serbi, me iniciativë të presidentit Vuçiq.
Qeveria e re do të zgjidhet brenda 18 prillit, përndryshe presidenti mund të shpallë zgjedhje të reja. Sipas kreut të shtetit, kabineti i ri ka për t’u përballura me detyra të vështira. “Rezistenca ndaj të gjitha llojeve të presionit në kuptimin e politikave rajonale, zgjidhja e problemit të tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, përshpejtimi i integrimit europian dhe në të njëjtën kohë, ruajtja e miqve tanë tradicionale në Lindje, dhe kthimi i investimeve në vend.
Qeveria e re ka detyrën e madhe për të vijuar që të ruajë paqen dhe stabilitetin, për t’u sjellë me tolerancë dhe durim. Qeveria duhet të ketë një zotim të qartë drejt së ardhmes dhe dëshira e qëllimi ynë është ta kthejmë Serbinë në piedestalin e fituesit dhe brenda fundit të vitit të bëhemi ekonomia me rritjen më të shpejtë,” deklaroi presidenti Vuçiq në fjalën e tij të dielën në mbrëmje.