“Vuante denigrimin në TikTok”, Xhemal Loka mohon të ketë shkaktuar vetëvrasjen e gruas: Kemi pasur debate si çdo çift

Xhemal Loka, i cili u arrestua pas vetëhelmimit të bashkëshortes së tij, Bedrie Loka, 41 vjeçe, ka mohuar të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.

Përpara hetuesve të çështjes 45-vjeçari, i ka qëndruar deklarimit se ajo nuk duroi dot fyerjet ndaj saj në rrjetin social TikTok, ku prej kohësh vuante psikologjikisht për shkak të denigrimit të figurës së saj.

Gjithashtu ai ka pranuar që ka pasur disa debate me të ndjerën, por pa ndikuar në një akt të tillë.

“Unë jam kthyer pak ditë para ndërrimit të viteve nga Greqia. Ka qenë insistimi i Bedries që të vija dhe të kaloja festat në familje. Kemi pasur disa debate pasi kam ardhur, debate që çdo çift i ka. Bedria e vuante shume denigrimin e figurës së saj që iu bë dhe vazhdonte t’i bëhej në TikTok dhe për këtë kemi debatuar edhe më herët. Unë nuk jam bërë shkak që ajo ti japë fund jetës, nuk di të them më shumë se aq”, mësohet të jetë shprehur ai.

Pavarësisht mohimit të ngjarjes, policia sqaron se ne celularin e Xhemal Lokës janë gjetur mesazhe fyese e video kërcënuese ndaj bashkëshortes së tij.

Të tjera mesazhe mendohet të jenë fshirë dhe po punohet për rikuperimin e tyre.

Ndërkaq po punohet edhe për identifikimin e personit që i hapi adresën false në rrjetin social TikTok.

Xhemal Loka u arrestua të shtunën. Ishte 45-vjeçari që fillimisht i shtyu të gjithë të besonin se shkak për aktin e rëndë u bë bullizmi në TikTok. Por ka qenë dëshmia e 1 prej 4 fëmijëve të çiftit që ka ndihmuar hetuesit të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Falë deklarimeve të tij, uniformat blu krahas arrestimit gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik që 45-vjeçari fshihte në banesë, si dhe celularin e tij të cilën ai e kishte fshehur tek shtëpia e të motrës.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com