Dy ukrainas të akuzuar për bashkëpunim me autoritetet ruse janë vrarë, njëri nga të shtënat në afërsi të Moskës dhe tjetri nga një bombë në makinë në Luhansk të Ukrainës-pjesë e pushtuar nga Rusia.
Burime ukrainase të zbatimit të ligjit i thanë Radios Evropa e Lirë se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) “likuidoi” ish-deputetin ukrainas Illya Kyva duke e qëlluar për vdekje në një operacion special më 6 dhjetor.
Raportet e mediave në Rusi thanë më herët se Kyva u gjet i vdekur pranë Moskës.
Kyva ishte i njohur për qëndrimin e tij pro-rus. Në muajin nëntor, një gjykatë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, e dënoi atë në mungesë me 14 vjet burg, pasi e shpalli fajtor për tradhti të lartë.
Pasi Rusia nisi pushtimin e saj, të vazhdueshëm, të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, Kyva u transferua në Rusi ku mori pjesë në shfaqje televizive pro-Kremlinit dhe në tryeza të rrumbullakëta.