Ka qenë një ditë tragjike për ushtrinë izraelite e hëna e 22 janarit, kur 21 ushtarë humbën jetën gjatë përleshjeve me militantët e Hamasit në Gaza.
Lajmi u dha nga vetë zëdhënësi i ushtrisë, i cili konfirmon mes të tjerash se kjo ishte dita më e përgjakshme për ushtrinë izraelite që prej nisjes së luftës më 7 tetor.
Ndërkohë, vijojnë përpjekjet diplomatike mes palëve, me ndërmjetësimin e vendeve të tjera për sigurimin e një armëpushimi të mundshëm dhe lejimin e ndihmave humanitare për civilët e rrezikuar.
Sipas CNN, Izraeli iu ka ofruar liderëve të Hamasit një korridor të sigurt për t’u larguar nga Rripi i Gazës, një propozim ky që i çon më tej përpjekjet për armëpushim.
Propozimi konfirmon vështirësitë e hasura nga Tel Avivi për të mbajtur angazhimin e tij për të shkatërruar plotësisht organizatën islamike palestineze, pas sulmit të përgjakshëm të nisur nga kjo e fundit.
/a.r