Në lidhje me një foto të publikuar dhe denoncuar në rrjetet sociale të një shtetasi ku në Leskovik, Kolonjë, 26 vjeçari shfaqet me shpendët e vrara, Policia e Kolonjs tha se ka bërë identifikimin dhe shoqërimin e autorit të dyshuar.
Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. G., 26 vjeç, lindur në Leskovik dhe banues në Yzberisht, Tiranë, për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut, të cilën 26-vjeçari e posedonte me lejen përkatëse.
Në lidhje me këtë rast nga inspektorët e IMT Kolonjë është plotësuar akti i konstatimit të masës administrative me vlerën 80000 lekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.