Axel Rudakubana nuk është një emër i padëgjuar. Ai është autori i vrasjes së tre vajzave të mitura në Korrik të vitit që lamë pas në Southport të Britanisë së Madhe. Bebe King, 6 vjeçe, Elsie Dot Stancombe, 7 vjeçe dhe Alice da Silva Aguiar, 9 vjeçe, u vranë me thikë nga Rudakabana ndërsa ndiqnin një klasë kërcimi me temën e Taylor Swift, më 22 Korrik të vitit të kaluar.
Rudakubana tentoi që t’u merrte jetën dhe 10 personave të tjerë, por ndërhyrja në kohë e autoriteteve bëri që të parandalohej rritja e bilancit të asaj masakre. Këtë të enjte, 18-vjeçari doli përpara trupës gjykuese ku u dënua me 52 vite burgim. Në kohën kur ndodhi ngjarja, ai pranoi krimin, ndërkohë që nuk shfaqi aspak shenja pendese për jetët e marra.
Axel Rudakubana i lindur në Cardiff u shpërngul bashkë me familjen e tij në Southport në vitin 2013. Në vitin 2017 ai ishte student në “Range High School”. Një telefonatë e tij në vitin 2019 në një agjenci që ofron këshilla për fëmijë dhe adoleshentë nën moshën 19-vjeçare ngriti alarmin për atë që mund të bënte Axel. “Çfarë duhet të bëj nëse dua të vras dikë?”, ishte kjo pyetja që ngriti në këmbë shkollën ku ai po studionte.
Në atë kohë ai pranoi se një vajzë që pëlqente në shkollë i kishte thënë diçka shumë të keqe, ndaj dhe ai donte që ta vriste. Pas kësaj ai u përjashtua përkohësisht nga shkolla, deri në momentin kur pranoi se mbante armë të ftohta me vete, madje dhe në ambientet e shkollës. Për këtë adoleshenti u përjashtua përfundimisht nga shkolla. Autoritetet u vunë në dijeni për gjithë këtë dhe filluan të mbanin në monitorim adoleshentin, i cili hulumtonte në faqet në internet për mënyrat se si mund të vriste njerëz.