Konfliktet brenda rrethit familjar është pista kryesore që policia po heton në lidhje me ekzekutimin e Bujar Nasufit, ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë. 56 vjeçari u qëllua brenda mjetit të tij, të cilin sapo e parkonte pranë banesës.
Autori, që ishte një i vetëm priti që nga makina të zbriste bashkëshortja e Nasufit, dhe menjëherë iu afrua dhe qëlloi me 6 plumba në drejtim të tij. 56 vjeçari nuk rezulton të jetë person me precedentë penalë.
Burime pranë grupit hetimor pohojnë se pista e rrethanave familjare mbetet kryesorja e hetuar deri më tani. Ka dyshime se viktima ka pasur konflikte për pronat me anëtarë të tjerë të fisit.
Për të identifikuar autorin, hetuesit kanë sekuestruar disa kamera sigurie përgjatë zonës. Në pamje duket autori i krimit, i cili me kapuç në kokë është munduar që të fshehë identitetin e tij.
Atentatori ka qenë duke e pritur viktimën në afërsi të banesës. Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që kanë qenë duke u afruar në banesë. Të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh.
Fillimisht në rrugicën është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas saj ka qenë mjeti i viktimës. Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar dhe më pas është larguar me motor.
Nga verifikimet ka rezultuar se autori ishte i kamufluar si shpërndarës picash dhe u largua me një motor të zi në drejtim të zonës së Selitës.