Grei Bihuci, është 19-vjeçari që u vra me thikë një ditë më parë në Fier pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. I riu ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pasticeri në Bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.
Grei më parë kishte qenë edhe futbollist me moshat e reja të klubit të Apolonisë dhe vdekja e tij ka tronditur miqtë dhe ish-trajnerët. Ish-trajneri i tij Blendi Vashaku në një dedikim prekës për 19 vjeçarin ka kujtuar stërvitjet që kishin pasur tek Apolonia ku i riu luante si portier.
Postimi ish-trajnerit:
“Grei qofsh banor i xhenetit! ‘Presor e bëra gabim, a ta përsëris edhe njëherë? Përsërite Grei. Këto ishin fjalët që më ngelën në kujtimet e mia kur u stërvisnim bashkë tek Apolonia, djalë i mrekullueshëm rrezatonte vetëm mirësi dhe dashuri. Buzëqeshja që na dhuroje çdo ditë dhe sot nuk do e shikojmë më, na dhemb, e lus Zotin të të bëjë banor të xhenetit”.