Gazment Bardhi dhe Flamur Noka janë shfaqur sot në Shkodër, si shpëtimtarë të opozitës.
Edhe pse prej dy vitesh ata kanë shkëmbyer akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit, tani thonë se i kanë lënë pas konfliktet, për të mirën e demokratëve dhe shqiptarëve.
Më poshtë, disa nga akuzat e rënda të Nokës dhe Bardhit, ndaj njëri-tjetrit:
“U bëre deputet mbi gjakun e një njeriu”, sherri Noka-Bardhi në Kuvend
Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka debutuar në Kuvend me demokratin tjetër, deputetin e Rithemelimit Flamur Noka.
Bardhi deklaroi se ish kryeministri Sali Berisha i ka dërguar mesazh demokratëve të votojnë kundër Komisionit për Investimet Strategjike duke mbrojtur interesat e Ramës.
“Merri leje Doktorit dhe dil sqaro demokratët pse jen bashkuar me socialistët për të bllokuar komisionin pr investimet strategjike.
Pse ka nisur Berisha mesazh te deputetët e tij që të votojnë kundër komisionit. Sa i takon elektoratit unë nuk kam ardhur ndonjëherë në zyrën tënde. Ti ke ardhur në zyrën time dhe ke thënë mos më ço në Kukës se më djeg anëtarësia”, tha Bardhi.
Në këtë çast Noka tentoi të replikojë por u ndërpre nga drejtuesja e seancës Ermonela Felaj.
“Replikë mbi replikën nuk ka. Problemet që keni mes jush zgjidhini te partia juaj”, u shpreh ajo.
Noka akuzoi disa nga deputetët e PD se po bashkëpunojnë me mazhorancën.
Noka: Unë e di që ju funksiononi këtu me disa marioneta, por jo me ne. Sepse ne shumë shpejt do të dalim në rrugë dhe do ju rrëzojmë.
Bardhi: Dil dhe merr leje te doktori dhe sqaro demokratët se përse Berisha u ka dërguar mesazh që bashkë me socialistët të bllokojnë komisionin për investiimet.
Sa për elektoratin unë nuk kam ardhur asnjëherë në zyrën tuaj, por ti ke ardhur në zyrën time dhe ke thënë mos më ço në Kukës.
Noka: I vetmi që u bë deputet mbi gjakun e një njeriu, nuk ka pasur më parë ky Parlament.
Çfarë lidhje ka Enki, Gazi dhe Jorka me reformën territoriale?
Asnjë lidhje s’kanë. Ata nuk dalin dot nga shtëpia. Gazi e ka tmerr Elbasanin se i bie të fikët. Këtu ka shërbëtorë dhe fake opozitë.
Debati për oligarkët, Bardhi akuza Nokës: Vila në Lalëz është e jotja! Ke mik trafikant droge
Vila 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit është në pronësi të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Kështu pretendon përmes një reagimi, deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, i cili ishte ai që hapi këtë çështje, që u kthye në temë debati për muaj me radhë. Kjo deklaratë, u dha si kundërpërgjigje e akuzës së Nokës.
Bardhi, bën të ditur se Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lalzit. Duke iu përgjigjur akuzës së ai gjobit oligarkë, Bardhi pyet Nokën se cilin prej tyre ka gjobitur, duke përmendur se Noka ka një mik që rezulton të jetë një trafikant droge. Për këtë person, Bardhi thotë se në kohën kur Noka ishte ministër i Brendshëm, lejoi trafikimin e drogës drejt Britanisë së Madhe, e me ato para që përfitonte, i pastronte me pasuri të paluajtshme.
“Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i Brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë”- shkruante Bardhi.
Më tej, deputeti demokrat, thotë në reagim se ky person i cili rezulton të jetë trafikant droge, ka marrë në qafë kryetarin aktual të Partisë Demokratike, Sali Berishën, duke e cilësuar si person që ka lidhje me përfaqësues të krimit. Bardhi shton se ky person, bashkëpunonte me Qeverinë, Nokën dhe Berishën.
Bardhi mohon akuzat se ka lidhje me oligarkë dhe me kriminelë, duke sqaruar se nuk ka as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe as është peng i asnjë financuesi apo krimineli.
Reagimi i Gaz Bardhit
Një përgjigje e detyruar për Flamurin e keqpërdorur të opozitës së rreme. Shumë miq më thonë të mos e marr seriozisht Flamur Nokën për shpifjet që shpërndan herë pas here. Por nuk do të hesht më pas serialit të ri të shpifjeve, të nisur ditët e fundit ndaj meje dhe disa kolegëve të tjerë. Ndryshe prej tij, ne nuk kemi ngritur flamurin e opozitarizmit të rremë. Kur denoncojmë korrupsionin dhe paligjshmërinë nuk selektojmë në “tanët” dhe “të tyret”. E kuptoj që kjo e shqetëson Flamur Nokën, prandaj ka gjetur një shpifje të re ndaj meje, duke më akuzuar se denoncoj oligarkët për t’u vendosur gjoba atyre!!! Le t’i marrim me radhë dhe e nisim nga denoncimi im i fundit për të cilin grupimi i Flamur Nokës nuk ka hapur gojën akoma. Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? I kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë!
Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje. Nga personi që akuzoi demokratët e Kukësit se ishin të orkestruar nga Edi Rama për protestat kundër traut të Kastratit në Rrugën e Kombit dhe bëri çdo gjë për shuarjen e tyre, mund të presësh gjithçka.
Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë. Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi.
Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar. Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të rastësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit. Kur kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm, tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë. Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve. Investimi im kryesor është tek dija. Nuk kam as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe, mbi të gjitha, nuk jam peng i asnjë financuesi apo krimineli, që ditën punon me Qeverinë, ndërsa natën financon flamurin e opozitarizmit të rremë. Për Flamur Nokën kam një premtim: sa më shumë të shpifë, aq më shumë të verteta do jem i detyruar të them!
Akuzat e Nokës
Flamur Noka hodhi akuza për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetit Gazment Bardhi. I ftuar në “EuroNews”, Noka tha se Basha e Bardhi u kanë vënë gjoba oligarkëve kur bënin sikur i sulmonin.
“Ata oligarkë që ti mendon se i sulmon Gaz Bardhi, jam unë dëshmitar që u rrinte mbas dere me Lulzim Bashën, me dorën shtrirë për të mbushur thesin. A doje të ta them unë? Ke parë një aferë, që kur u ul në atë karrige Sali Berisha, oligark apo jo oligark, që të mos jetë sulmuar dhe të jetë në qendër të sulmeve të opozitës? Që nga data 25 mars, që Sali Berisha ka hyrë në atë seli dhe u bë kryetar partie në këto 4 muaj, që është bërë një aferë dhe është sulmuar ajo aferë dhe është sulmuar nga të tjerë përveçse nga Sali Berisha? Nuk është heshtur”, deklaroi Noka.
Si nisi debati për vilën?
Vila 750 mijë euro ishte një temë e nxehtë debati në Partinë Demokratike. Teksa ishte i ftuar në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, Bardhi deklaroi se një ish-ministër i PD-së ka një vilë që kushton 760 mijë euro pa dhënë emër. Katër ishin emrat që përfliteshin se ishin pronarë të vilës: Flamur Noka, Bujar Leskaj, Tritan Shehu e Edmond Spaho.
Çështja e vilës u bë temë debati edhe në Kuvend. Më 12 maj, seanca parlamentare u shoqërua me debate pas aludimit të Bardhit se vila i përket një prej katër ish-ministrave të Partisë Demokratike. Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili ka qenë edhe ministër Turizmi i kërkoi llogari Bardhit në lidhje me deklarat e thënë në studion e “Open”. Ndërkohë që Bardhi dikskutonte me Jorida Tabakun e Tritan Shehun, Spaho ndërhyri dhe kërkoi që deputeti të zbardhte emrin e pronarit të vilës e të mos akuzonte njerëz ‘në tym’. Kjo thirrje mori edhe përgjigje nga Bardhi që nuk ishte emri i pronarit të vilës por një replikë që agravoi situatën.
/f.s