Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se janë duke zhvilluar hetime intensive rreth rastit të vrasjes së Liridona Ademajt.
Deri më tani për vrasjen e saj janë arrestuar katër persona përfshirë bashkëshortin, Naim Murseli që dyshohet se ka porositur vrasjen e saj, ndërsa në paraburgim bashkë me Murselin gjenden edhe dorasi, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dodaj.
Liridona, nëna e dy fëmijëve u vra më 29 nëntor, në mënyrë makabre në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Bërnicë, të Prishtinës, në sy të fëmijëve të mitur.
Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë për Express, se policia me institucionet e drejtësisë po punojnë në mënyrë intensive që ky rast ta marrë verdiktin përfundimtar. Ajo theksoi se në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje të tjera.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për këtë çështje penale mund t’iu njoftojmë se prokuroria në koordinim të plotë me policinë e institucionet relevante po punojnë intensivisht që ky rast ta merr epilogun përfundimtar. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim detaje nga hetimet, deri në një fazë tjetër”, ka thënë ajo për Express.
Ndërkaq ishte kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi ai që deklaroi se hetimet kanë marrë drejtimin e duhur, por ka shtuar se ato se mund të zgjasin deri në dy vite.
“Hetimet kanë marrë drejtimin e duhur dhe puna që është bërë deri tani është një punë e arrirë. Nuk mund të them saktësisht se sa kohë do të marrë specifikisht kjo ngjarje, por për hetime dhe dosje të tilla mund të duhen deri në dy vite kohë as sa dhe është e parashikuar ligjërisht. Hetimet kanë një afat njëvjeçar por mund të shtyhen edhe në afat dyvjeçar. Hetimet kanë arritur në një pikë të caktuar, por nuk mund të kemi një datë të saktë për përfundimin e tyre dhe nuk mund të ndajmë detaje se çfarë kemi zbuluar deri tani për shkak të sekretit hetimor”, u shpreh Munishi në Euronews.al.