Rreth një muaj më parë, opinioni publik u shokua nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Shënavlash të Durrësit, ku Pëllumb Meta u gjet i vrarë dhe i groposur në kasollen pranë shtëpisë së tij.
Si autorë të krimit janë arrestuar 3 fëmijët e tij, megjithëse ngjarja vijon ende të jetë e rrethuar nga misteri.
E ftuar në një emision televiziv, gazetarja Aida Topalli deklaroi se dyshimet e forta bien mbi djalin e madh të viktimës, Hysen Meta, i cili nuk ka pranuar më herët të bëjë provën e qitjes. Sipas gazetares, ka dyshime se armën e krimit ai e ka blerë vetëm një ditë para ngjarjes makabre.
“Fëmijët nuk janë bashkëpunues me Prokurorinë. Nuk ka të dhëna shtesë që pas arrestimit të 3 të rinjve. Askush nuk duket se ka qenë i aftë për të qëlluar me armë. Dyshohet se djali i madh, i cili nuk ka pranuar të bëjë qitje, mund të jetë një përdorues shumë i mirë i armës dhe ai nuk ka dashur të zbulojë asgjë. Jam e bindur që do e bindin. Nëse ai refuzon vazhdimisht, nuk e di nëse ka një hapësirë ligjore, por përderisa ti je i akuzuar për një vrasje, do jesh dhe i detyruar të bësh diçka që nuk do. Në shtëpi u gjet gëzhoja e një arme tjetër dhe mund të jenë përdorur dy armë, ose është përdorur një armë tjetër dhe jo ajo që tashmë është gjetur. Dyshohet se djali i madh e ka blerë armën një ditë para ngjarjes së rëndë.”- tha gazetarja./m.j