Vrasja e Martin Canit, gjykata merr sot vendimin nëse dosja kalon për gjykim! Në seancë edhe shoku që u plagos

Në Gjykatën e Tiranës mbahet sot seanca e radhës për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Në seancë janë paraqitur prindërit e 14-vjeçarit, Engjell dhe Florina Cani, si edhe shoku i plagosur me prindërit e tij.

Në seancën paraprake pritet të dilet me një vendim për kalimin e dosjes për gjykim. Në seancë do të paraqitet edhe autori 14-vjeçar që dyshohet se ka vrarë me thikë bashkëmoshatarin e tij Martin Cani. Autori i vrasjes, 14 vjeç, akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri.

Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024 në Tiranë, nga një bashkëmoshatar vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës.

2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com