Gazetari Venhar Isufi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” në News24 nga Kosova ka zbuluar detaje të reja lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt.
Isufi ka treguar se pista kryesore e hetimit nga autoritetet në Kosovë është një problem familjar mes çiftit Liridona Ademaj dhe Naim Murseli.
Sipas tij pas hetimit të celularit të Murselit besohet se viktima i ka kërkuar bashkëshortit divorcin, por ky i fundit nuk e ka pranuar.
Gazetari zbuloi po ashtu se ka pasur ndryshime të deklaratave edhe nga ana e të arrestuarve për ngjarjen e rëndë, por edhe nga babai i Naim Murselit.
“Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt. Kemi kuptuar se ka pasur disa ndryshime të deklaratave që janë dhënë në policinë e Kosovës nga të arrestuarit. Ajo që dimë deri më tani është se dyshimi është te një problem familjar që ka ndodhur më herët. Megjithatë këtë babai i Naim Murselit e ka mohuar fillimisht.
Prokuroria po zhvillon hetime në këtë pistë pasi është hapur edhe celulari. Nga zbulimet në telefonin e Naimit besohet se janë nxjerrë gjithë detajet. Naim Murseli ka pasur një shkëmbim mesazhesh me vëllanë e Kushtrim Kokallës, i afërm i tij. Problemi besohet se ka nisur në çiftin e Naimit dhe Liridonës dhe ajo i ka kërkuar atij divorcin, por ai nuk ka pranuar këtë. Më pas kemi pasur ndryshime të deklaratave edhe nga babai i Naim Murselit”, shpjegoi ai.
/a.d