Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi në Top News foli për vrasjen e Gentjan Bejtjas mbrëmjen e 15 marsit në Fushë-Krujë.
Sipas ekspertit, mënyra sesi është ekzekutuar Bejtja është e njëjta metodë me të cilën janë kryer edhe ngjarje të tjera kriminale dhe dyshohet se pistat që po hetohen janë përfshirja e viktimës në ngjarje të tjera kriminale apo informacioni që mund të ketë pasur për to.
“Janë të njëjtat metoda që po përdoren dhe të gjitha këto krime duken sikur i bën një dorë por janë grupe që kanë të njëjtën shkollë. Është diskutuar për disa pista, që ky person është përfshirë ose ka shumë informacion për ngjarje të bujshme ku kanë humbur jetën pjesëtarë të krimit të organizuar”– u shpreh profesori.
Më tej teksa foli për disa prej personave me të cilët Bejtja kishte pasur konflikte, si vëllezërit Durim e Valter Bami, Karamuço tha se pavarësisht atentateve të mëhershme ndaj 42 vjeçarit, në zonë nuk ishte vendosur asnjë kamera që mund të zbulonte autorët të cilët mendohet se kanë survejuar rrugën për ditë me radhë.
“Ky grup ka qenë bashkë, edhe këta që presupozohet ta kenë sulmuar edhe herë të tjera edhe viktima. Ka pasur konflikt shumë të madh dhe janë ndarë në dysh. Krahu tjetër vëllezërit Bami thirren gjithmonë në raste të tilla dhe u bëhet verifikimi. Ka pasur 3 raste, jemi në rastin e 4, dy rastet e tjera janë kryer tek banesa e babait, si ka mundësi nuk u vunë 2 kamera? Me atë mund të bëhej edhe zbulimi i autorëve të mundshëm sepse atë rrugë ata e kanë përshkruar dhe surverjuar gjithë kohën”– shtoi Karamuço.
Po ashtu gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha se autorët e krimit kishin dijeni për vendndodhjen e Gentjan Bejtjës dhe për mënyrën sesi do të largoheshin nga vendngjarja.
“Ky është rasti për të treguar sesi dështon drejtëia kur ngre akuza për shtetas të ndryshëm si rasti i 42 vjecarit që është hetuar në vite të ndryshme për shumë ngjarje. Është pyetur për vrasjen e biznesmenit të kromit, për atentatin ndaj Mariglen Hakës, për ngjarje të ndodhura në Fushë-Krujë, Laç e Lezhë, megjithatë të gjitha këto kanë qëndruar në rangun e dyshimeve. E fundit e finalizuar pikërisht në shtëpi në njërën nga banesat që i përkiste prindërve të tij. Është e qartë se autorët kishin shumë njohuri jo vetëm për vendndodhjen e tij por edhe mënyrën sesi do hynin dhe do largoheshin.”- tha gazetarja./m.j