Avokati Stefan Topalli I ftuar në studion e RTSH 24 ka deklaruar se do dojë kohë zbardhja e plotë e ngjarjes në Pogradec, ku disa ditë më parë u vra 42-vjeçari Egli Proga.
Ndërsa ka ende hije dyshimi mbi rrethanat e ngjarjes, avokati Topalli u shpreh se zinxhiri polici-prokurori nuk ka funksionuar.
Topalli iu referua njoftimeve të dhëna nga Policia e Prokuroria, ku kjo e fundit caktoi masën e sigurisë “vrasje nga pakujdesia” për autorin Denis Meçe, ndërsa policia e referoi si “vrasje me dashje”.
“Sot është kërkuar ndjekur penalisht një oficer patrulle i komisariatit të Pogradecit me sa kam dijeni që s’ka lidhje fare. Ai ka qenë në vendngjarje, ka komunikuar me sallën operative dhe ka marrë të dhënat gjeneralitetet përkatëse. Unë mendoj se ai s’ka bërë shpërdorim detyre, sikurse pretendohet.
Mendoj se është zinxhir shumë i madh që s’dinë ku ta fillojnë. Ka shpërdorim detyre, diçka nuk shkon në këtë mes dhe është hashiqare.
Është organi hetues, organi i akuzës, prokuroria e cila në bazë të materialeve që i çon policia e shtetit duhet të dalë në një konkluzion të caktuar. Nuk jemi në fazën e akuzës.
Statusin e të akuzuarit e merr kur mbyllen hetimet. Autori është ende nën hetim”, u shpreh avokati.
Topalli theksoi se me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, gjykata nuk mund të japë masë më të rëndë sigurie se ajo e kërkuar nga organi i akuzës.
Ai shtoi se rikualifikimi i veprës penale është gjatë fazës së hetimit.
“Me hartën e re gjyqësore, është prokuroria Korçë me Policinë e Pogradecit që kanë kryer veprimet e para hetimore dhe mbledhjen e provave, sa reale e rigoroze kanë qenë provat, këto i takojnë fazës së hetimit.
Prokuroria mund të shkojë edhe vetë në vendngjarje. Në bazë të ngjarjes është detyrim moral, profesional dhe ligjor që prokuroria të hetojë në vendngjarje. Kjo çështje do marrë shumë kohë për t’u zbardhur. Nuk më bën sens, sikur ka funksionuar ai zinxhiri polici-prokurori.
Është vetëm kompetencë e prokurorisë së rrethit për të ngritur një akuzë. Me ndryshimet e reja të Kodit të procedurës penale, gjykata nuk mund të japë një masë më të rëndë se ajo e kërkuar nga organi i akuzës në lidhje me masat e sigurimit.
Gjyqtari i ka duart e lidhura se s’jep dot masë më të lartë se ajo që kërkoi prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë. Prokuroria ngriti akuzën për “vrasje nga pakujdesia” në bazë të provave, material për veprën penale përkatëse.
Është kompetencë ekskluzive vetëm e prokurorisë. Rikualifikimi i veprës penale është gjatë fazës së hetimit”, theksoi ai.