Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “burg pa afat” për Altin Kukën, dy djemtë e tij Emaurisio dhe Ervis si dhe Tomorr Zyken, i cili strehoi të rinjtë pas vrasjes së Ladimir dhe Gramoz Kurtaj.
Akuza e Prokurorisë për babanë dhe dy djemtë është vrasje në bashkëpunim dhe vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa për Tomorr Zykën, përkrahje e autorit të krimit.
Në një seancë maratone, gjyqtarja Gladiola Bregu shqyrtoi dosjen e Prokurorisë, detaje të së cilës janë konsideruar sekret hetimor. Të katër personat e akuzuar nga prokuroria kanë qëndruar të heshtur në gjykatë duke lënë në fuqi deklaratën e parë të Altin Kukës që tha se i vrau dy vëllezërit për shkak të sherrit mes djemve të tij dhe të viktimave.
Më herët, në polici Altin Kuka dhe djemtë deklaruan se sherri kishte nisur fillimisht mes djemve të viktimave dhe një punonjësi në pularinë e familjes Kuka. Më pas, Gramoz dhe Ladimir Kuka kanë takuar babanë 79-vjeçar të Altin Kukës për t’u sqaruar. Por nga ky takim situata është përkeqësuar deri sa Altin Kuka mori kallashnikovin dhe e zbrazi në drejtim të dy vëllezërve.
Katër ditë pas ngjarjes, ende nuk ka një motiv të qartë për vrasjen e dyfishtë në Kurjan. Altin Kuka u vetëdeklarua fajtor pasi u vetëdorëzua në polici duke rrëfyer edhe shkakun e krimit që kreu. Por familjet Kuka dhe Kurtaj kishin miqësi të vjetër dhe mbetet e pakuptimte pse Altin Kuka arriti deri aty sa të vrasë me gjakftohtësi bashkëfshatarët dhe miqtë e tij.
Detaje të dosjes së prokurorisë janë klasifikuar sekret hetimor duke lënë të hapur pistat për zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Për ngjarjen e rëndë është proceduar penalisht edhe babai i Altin Kukës, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.
/a.r