Vrasja e Egli Progës mesditën e të dielës në qytetin e Pogradecit vijon të rrethohet nga hije skandali që tani nuk përfshijnë vetëm Policinë, por edhe Prokurorinë dhe Gjykatën.
Pas rrahjes brutale nga 29 vjeçari Denis Meçe që i shkaktoi vdekjen Egli Progës, u raportua se viktima humbi jetën pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur.
Por familjarët reaguan kur konstatuan shenja dhune te viktima dhe policia u detyrua të reagonte sërish për të deklaruar se nuk e kishte fshehur ngjarjen, por e kishte dokumentuar atë duke arrestuar autorin dhe tre persona të tjerë për moskallëzim krimi.
Policia bëri të ditur se e ka referuar ngjarjen në Prokurori si vrasje me dashje, e cila sipas kodit penal dënohet nga 10 gjer në 20 vjet burgim.
Por prokuroria, pas 48 orësh, kur e ka dërguar dosjen për vlerësim në gjykatë ka ndryshuar akuzën për Denis Meçen, duke e referuar tashmë ngjarjen si vrasje nga pakujdesia, duke e zbutur atë në maksimum. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet.
E thënë ndryshe, rrahja brutale që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës, që ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit, nga prokurori i çështjes është cilësuar si vrasje nga pakujdesia.
Këtë masë e ka konfirmuar mesditën e sotme edhe gjykata duke e lënë atë në arrest me burg.