Prokuroria e Fierit kërkon arrest me burg për dy autorët e vrasjes së 19-vjeçarit Grei Bihuci 3 ditë më parë. Florian dhe Klajdi Muka akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe për prodhim, blerje apo shitje të armëve të ftohta.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetasve F.M dhe K.M”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Fier.
Prokuroria e Fierit ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në qendër të Fierit dhe “shpreh angazhimin e plotë për një hetim të plotë dhe gjithanshëm të kësaj ngjarjeje, me qëllim hetimin e thelluar të motivit, shkaqeve apo përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë”.
Ngjarja ndodhi 3 ditë më parë rreth orës 11;30 në qendër të Fierit ku autorët Florian dhe Klajdi Muka në bashkëpunim me njëri-tjetrin, goditën me thikë 19-vjeçarin, i cili humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
/a.r