Dhoma e Përfaqësuesve votoi të martën më një diferencë jashtëzakonisht të ngushtë votash, për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, duke e bërë atë anëtarin e parë të kabinetit që përballet me shkarkimin në gati 150 vjet.
Shumë republikanë fajësojnë zotin Mayorkas për një fluks të paprecedentë emigrantësh në kufirin SHBA-Meksikë.
Dhoma e udhëhequr nga republikanët votoi 214 pro shkarkimit dhe 213 kundër, pasi përpjekja e parë dështoi javën e kaluar. Çështja tani shkon në Senatin e udhëhequr nga Demokratët, ku ka të ngjarë të dështojë.
Presidenti Joe Biden e quajti të martën votimin një “akt flagrant të partishmërisë antikushtetuese” dhe një “marifet politik”.
Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas votimit, Biden mbrojti zotin Mayorkas, duke e quajtur atë “një nëpunës publik i nderuar”.
“Ai ka mbështetur me besnikëri sundimin e ligjit dhe ka demonstruar një përkushtim të thellë ndaj vlerave që e bëjnë kombin tonë të madh”, tha presidenti.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve “do të mbahen mend nga historia për shkeljen e Kushtetutës” pas votimit për shkarkimin.
Kundërshtarët e zotit Mayorkas e akuzuan atë se nuk e respektoi betimin e tij për të “kryer mirë dhe besnikërisht detyrat” e zyrës së tij duke dështuar të bëjë më shumë për të siguruar kufirin.
Votimi u nda kryesisht sipas linjave partiake, me 210 demokratë që votuan kundër shkarkimit, së bashku me tre përfaqësues republikanë: Tom McClintock nga Kalifornia, Ken Buck nga Kolorado dhe Mike Gallagher nga Ëisconsin.
Më shumë se 6.3 milionë emigrantë kanë hyrë ilegalisht në SHBA që nga viti 2021, duke e bërë emigracionin një çështje përçarëse dhe politikisht të diskutueshme përpara zgjedhjeve të nëntorit. Çështja është fokusi kryesor i fushatës së Donald Trump për të larguar zotin Biden nga detyra.
/a.r