Vota e emigrantëve dhe Reforma Zgjedhore, të martën do të dëgjohen organizatat e diasporës

Organizatat e diasporës do të dëgjohen në Kuvend javën që vjen për propozimin që mundëson sipas tyre votën e shqiptareve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë. Në rendin e punës së Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore është parashikuar të martën seancë dëgjimore me Organizatat e Diasporës që kanë fushë të përgjegjësisë së tyre çështjet zgjedhore.

Diaspora e përfaqësuar në disa struktura jashtë vendit, kërkon prej vitesh të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe deputetët në komision do të dëgjojnë alternativat që njeh praktika botërore për të mundësuar një proces të tillë.

Aktualisht shtetasit shqiptare që jetojnë jashtë vendit mund të marrin pjesë në zgjedhje vetëm nëse ditën e zgjedhjeve ata ndodhen në Shqipëri.

Organizatat kërkojnë që shqiptarët të votojnë në distance, duke përdorur të drejtën kushtetuese për të thënë mendimin e tyre nëpërmjet votës për partitë që do të mbështesin në zgjedhje.

Seanca dëgjimore në Kryesinë e Kuvendit zhvillohet në një kohe kur Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar parlamentin që t’u japë të drejtë me ligj shtetasve shqiptare për të votuar. Mundësitë teknike janë disa nga vota me postë deri tek votimi online pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një sistem të mbyllur elektronik që nuk rrezikon të keqpërdoret.

Megjithatë para se të arrihet në këtë pikë parlamenti duhet të përcaktojë me ligj sesi KQZ apo Ministria e Brendshme do të hartojnë regjistrin e shtetasve që jetojnë jashtë atdheut.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com