Në selinë e Partisë Socialiste është mbajtur mëngjesin e sotëm si çdo të hënë mbledhja e drejtuesve politikë, me kryeministrin Edi Rama që nuk ka qenë i pranishëm fizikisht por i është adresuar online të pranishmëve.
As drejtuesit politik nuk kanë qenë të gjithë fizikisht të pranishëm, pasi disa ndodhen ende në Greqi, duke u ndalur në zonat që kanë më shumë shqiptarë për t’i ndihmuar që të regjistrohen në platformën e ngritur nga KQZ për votën e emigrantëve.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi raportoi se në mbledhje është diskutuar se si është situata në Greqi dhe Itali ku edhe ka më shumë emigrantë dhe PS është përqendruar më së shumti, pasi në fundjavë kanë shkuar në zonat kryesore për të parë nëse ka shqiptarë përtej listës së kontakteve që selia rozë i rëndit si votues të sigurt për mazhorancën.
Qëllimi i PS është për të joshur shqiptarët që janë jashtë duke ofruar edhe asistencë teknike, duke ngritur në Athinë dhe rajonin e Puglia-s edhe zyra për të asistuar ata që nuk kanë njohuri sesi funksionon procesi i regjistrimit.
Deri më tani janë regjistruar rreth 8500 shqiptarë në aplikacionin e KQZ, raporton A2 CNN. Ajo çka bie në sy është diferenca e theksuar mes meshkujve dhe femrave në këto dy ditë të para të regjistrimeve.
Numri i femrave që janë regjistruar është shumë më i ulët në raport me meshkujt dhe sipas Beleshit, kjo ka shqetësuar socialistët, të cilët synojnë që t’i bindin të gjithë dhe jo vetëm kryefamiljarët për t’u regjistruar si votues.
“Kjo ka qenë një nga këshillat apo rekomandimet në mbledhja, që të bindin shqiptarët të regjistrohen të gjithë si familje”, zbuloi gazetarja.