Vota e diasporës / Shpërndahen mbi 70 mijë fletëvotime, vetëm 11 persona i tërhoqën brenda mesditës

Ka nisur shpërndarja e parë e fletëve të votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Deri në orën 15:00 u dërguan 70.362 zarfe drejt diasporës shqiptare, të cilat përfshijnë fletët e votimit për qarqet Durrës, Dibër, Kukës dhe Berat.

Sipas të dhënave zyrtare, 11 persona e konfirmuan marrjen e zarfeve në adresat e tyre, ndërkohë që procesi i dërgimit vijon.


Numrin më të lartë të dërgesave e mban Italia me 30.688 zarfe, më pas vjen Greqia me 20.728, Gjermania me 7.008, Mbretëria e Bashkuar me 4,383 zarfe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 2.963 zarfe të dërguara.

Për vendet e Europës, pakot pritet të mbërrijnë deri më 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera, afati maksimal i mbërritjes është 25 prilli.

Dorëzimi do të bëhet vetëm personalisht nga postieri, i cili do të kryejë deri në tri tentativa për të kontaktuar votuesin. Nëse nuk arrihet kontakti, zarfi do të lihet në kutinë postare më të afërt.

Votat e diasporës që mbërrijnë në Shqipëri pas orës 19:00 të datës 11 maj do të konsiderohen të pavlefshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com