Vota e diasporës/ “Shërbimi postar është i parapaguar”, Celibashi mesazh për emigrantët: Fletën dërgojeni sa më shpejt, nuk kemi kohë në dispozicion!

Në 11 janar, platforma online PER, do të hapët zyrtarisht për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Platforma do të rrijë e hapur deri në 6 mars.

Për këtë ju duhet një kompjuter, laptop, tablet, telefon i çdo marke, i cili duhet të plotësojë dy kushte: të jetë i lidhur me internetin dhe të ketë një kamer. Ju mund të hyni direkt në faqen e KQZ-së, dhe në seksionin “votues nga jashtë” të klikoni dhe të vazhdoni procedurat.

Ose mund të shkarkoni në telefon aplikacionin e KQZ-së dhe mund ta zhvilloni aty aplikimin. Pavarësisht çfarë rruge e mjeti zgjidhni, rregullat janë të njëjta.

Redjon Lila, specialist në KQZ për votimin nga jashtë, shpjegon për Report TV, hap pas hapi, se si duhet të veproni për një aplikim të suksesshëm.

“Sa herë hyjmë në llogari, ne duhet të shfaqim fytyrën tonë të gjallë. Sistemi na verifikon dhe kjo garanton që procesi po kryhet nga vetë ne e jo nga dikush tjetër. Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta juaj shqiptare e identitetit mund të jetë edhe e skaduar, por duhet ta rifreskoni më vonë”,-thotë Lila.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpjegon për Report TV, se brenda 5 ditëve nga aplikimi, KQZ do tu kthejë përgjigje votuesve nga jashtë, nëse aplikimi i tyre është pranuar ose jo. Më tutje, KQZ do tu dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë.

“Postieri do t’ia lërë zarfin në dorë individit, dhe jo familjarëve të tij. Do ta provojë deri në 3 herë për ta gjetur dhe do ta kontaktojë edhe në telefon. Shërbimi postar është i parapaguar. Qytetari nuk do të paguajë asgjë. Ka nevojë për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor e kjo besoj do të bëhet, por qeveria dhe Kuvendi kanë ndarë veç një fond për vajtje ardhje të shërbimit postar. Fondi është 5 milionë euro deri tani. Mund të jetë një operator postar ose një bashkim operatorësh, kjo do të varet nga gara që do të hapet. Inkurajoj votuesit nga jashtë që sapo ta marrin fletën, të votojnë sa më shpejt të munden dhe ta dërgojnë votën pasi nuk ka shumë kohë në dispozicion”,-tha Ilirjan Celibashi për Report TV.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com