Për shkak të vonesave të krijuara deri tani nga faktori politik në Shqipëri nuk do mund të krijohen kushtet optimale, që shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Kështu u shpreh analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë për “News Line” në ABC News.
Ai thekson se ky proces më shumë se tek pjesa teknike ndikohet shumë nga vullneti i klasës politike, duke shtuar se votimi nga jashtë “tremb” jo pak partitë politike në përllogaritjet e tyre elektorale.
“Në Shqipëri nuk është se kanë vështirësi të votojnë dhe ka rreth 5000 qendra votimi. Kur flitet për komunitetin shqiptar jashtë atdheut, është situatë disi më ndryshe. Kërkon një zgjidhje më së pari logjistike, kërkon një zgjidhje që të ketë besim tek mjetet teknologjike, por mbi të gjitha qëndron vullnetin politik. Me gjithë angazhimin e Celibashit dhe KQZ, por edhe me dakordësinë në parim të palëve, mendoj se ka shumë pak kohë për ta negociuar këtë, duhet thënë hapur se partitë i frikësohen për arsye elektronike dhe për arsye politike. I frikësohen politikisht votimit, sepse është një masë e madhe njerëzish, që nuk e njohin impaktin që ato mund të kenë në zgjedhje. Kam përshtypjen se edhe këtë radhë dhe mendoj se shqiptarët e Shqipërisë nuk do votojnë”, tha ai.
I pyetur për votimin e rezolutës anti-korrupsion në Kuvend të hënën që vjen, Minxhozi tha se opozita qartësisht është shprehur mosbesuese, ndërsa mazhoranca ka dhënë garancinë se krijimi i saj nuk do krijojë pengesë apo të bëhet një “dublim” për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Ai shtoi se drejtësia e re e ka kaluar provën e fillimit dhe tashmë ka imunitet për të goditur jo vetëm në nivelet e larta të politikës, por shkalla goditëse ka prekur edhe kontigjentët kriminal në vend.
“Drejtësia e re në këtë pikë që ndodhemi e ka kaluar momentin delikat të fillimit, është kolauduar, dhe mund të godasë lart, por edhe nëntokën kriminale, siç bëri SPAK dhe në aksionin e fundit. Nuk besoj se SPAK do të influencohej nga një rezolutë tjetër nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha ai./m.j