Një 61-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi akuzohet se ka grabitur të paktën tre herë gjatë javës së kaluar të njëjtin dyqan veshjesh.
Grabitësi është arrestuar në flagrancë, gjatë tentativës për të vjedhur për herë të katërt dyqanin në fjalë.
“Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, gjatë patrullimeve në terren, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë konstatuar pas mesnate, në lagjen “Qemal Stafa”, një shtetas që kishte hyrë për të vjedhur në një dyqan veshjesh. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: G. T., 61 vjeç, banues në Shkodër. Nga veprimet hetimore, dyshohet se ky shtetas, gjatë javës së kaluar, ka vjedhur 3 herë të tjera në këtë dyqan”, njofton policia.