Një 17-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit policor “Sundimi i ligjit”. Mësohet se adoleshenti kishte vjedhur një automjet në Konispol dhe ishte me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjeve.
Sakaq, ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit, si bashkëpunëtor në një vjedhje të kryer në një banesë në Elbasan, më datë 15.11.2023.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”.
Falë bashkëpunimit mes Policisë së Sarandës dhe Gjirokastrës kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje, me precedent të theksuar për këtë vepër penale.
Vodhi një automjet në Konispol, si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, 17-vjeçari i shpallur në kërkim u kap në flagrancë në Gjirokastër duke drejtuar pa leje drejtimi, automjetin e vjedhur.
Sekuestrohet automjeti i vjedhur.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Mulsi, Konispol, ishte vjedhur një automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të vjedhjes. Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se autori ishte larguar me automjetin e vjedhur në drejtim të Gjirokastrës, kanë shkëmbyer informacionet me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër.
Si rezultat i bashkëpunimit mes shërbimeve të Policisë të dy komisariateve, është kapur në flagrancë në Gjirokastër, duke drejtuar pa leje drejtimi, automjetin që kishte vjedhur në fshatin Mulsi, shtetasi 17-vjeç, banues në Librazhd, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjeve.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit, si bashkëpunëtor në një vjedhje të kryer në një banesë në Elbasan, më datë 15.11.2023.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.