Vlen qindra miliona dollarë, Bernie Ecclestone nxjerr në shitje koleksionin unik të makinave

Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka njoftuar se do të shesë koleksionin e tij të jashtëzakonshëm të makinave, vlerësuar në qindra miliona dollarë. Koleksioni përfshin 69 makina historike, mes të cilave disa makina të shpallura kampione bote, si Ferrarit e drejtuara nga legjendat e Formula 1, Michael Schumacher dhe Niki Lauda.

Ndër makinat më ikonike është Ferrari 375 F1 i Alberto Ascari, që triumfoi në Çmimin e Madh të Italisë, si dhe Brabham BT46B, e njohur si “makina me ventilator”, që fitoi një garë përpara se të ndalohej përfundimisht.

Ecclestone e mori këtë vendim pas një viti të vështirë. Në vitin 2023 ai pranoi fajësinë për mashtrim financiar, pasi nuk deklaroi më shumë se 400 milionë paund pasuri të fshehura në Singapor. Ai ra dakord të paguante 653 milionë paund tatime dhe u dënua me 17 muaj burg, dënim që u pezullua për dy vjet.

“E dua çdo makinë të koleksionit tim, por ka ardhur koha të mendoj për të ardhmen e tyre nëse unë nuk do të jem më këtu”, deklaroi 94-vjeçari. “Dua të di ku do të përfundojnë dhe të mos e lë këtë barrë për gruan time”.

Vlen qindra miliona dollarë, Bernie Ecclestone nxjerr në shitje

Makinat nuk do të shiten në ankand, por përmes tregtarit Tom Hartley Jr, i cili e përshkroi koleksionin si “historia e Formula 1”. Sipas tij, kjo është një mundësi e papërsëritshme për ta pasionuarit e automobilizmit.

Ecclestone, i cili fillimisht provoi të garonte edhe vetë në vitet ‘50, kaloi më vonë në menaxhim dhe më pas transformoi Formula 1 në një sport global kur u bë CEO i grupit në 1987. Pas gati pesë dekadash në sport, ai u tërhoq në 2017 pas marrjes së drejtimit nga Liberty Media.

Kjo shitje shënon fundin e një epoke për Ecclestone, por lë një trashëgimi të pasur për botën e automobilizmit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com