Virusi i ri në Kinë / HMPV prek rrugët e frymëmarrjes, Pekini: Po marrim masa…

Një virus i ri, i identifikuar si metapneumovirus ose HMPV ka shënuar rritje të infeksioneve në provincat veriore të Kinës këtë dimër, veçanërisht tek fëmijët. Përhapja e virusit të ri vjen pesë vjet pasi bota u alarmua nga shfaqja koronavirusit në Uhan të Kinës, i cili më vonë u shndërrua në një pandemi globale me shtatë milionë vdekje të raportuara.

Fotot dhe videot e njerëzve që mbajnë maska në spitalet e Kinës u shfaqën në platformat e mediave sociale dhe sipas raportimeve lokale skenat e një shpërthimi të HMPV ishin të ngjashme me ato të shpërthimit fillestar të Covid-it . Autoritetet shëndetësore po zbatojnë masa urgjente për të monitoruar dhe menaxhuar përhapjen e virusit, megjithatë, Pekini i ka minimizuar zhvillimet si një dukuri vjetore dimërore, duke thënë se infeksionet e frymëmarrjes priren të arrijnë kulmin gjatë sezonit të dimrit. HMPV, është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me ftohjen e zakonshme dhe gripin.

Ndërsa sëmundja është zakonisht e lehtë, ajo mund të çojë në komplikime të rënda si pneumonia, veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobët. Virusi nuk është i ri, por ka tërhequr vëmendjen pas rritjes së rasteve në Kinën veriore. I identifikuar për herë të parë në vitin 2001, HMPV përhapet përmes frymëmarrjes ose kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara. Infeksionet janë identifikuar më parë në vende të ndryshme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Simptomat e saj përfshijnë kollë, ethe dhe lodhje me një periudhë inkubacioni nga 3 deri në 6 ditë. Ndryshe nga Covid-19 , nuk ka vaksinë apo trajtim specifik antiviral për HMPV.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka cilësuar situatën një emergjencë globale shëndetësore, por rritja e rasteve ka nxitur autoritetet të forcojnë sistemet e monitorimit. Një program pilot ka nisur gjurmimin pneumoninë me origjinë të panjohur, duke siguruar që laboratorët dhe agjencitë shëndetësore të raportojnë dhe menaxhojnë rastet në mënyrë më efektive. Hong Kongu ka raportuar disa raste të HMPV. Vendet fqinje si Kamboxhia dhe Tajvani po monitorojnë nga afër situatën. Në Indinë fqinje, zyrtarët thanë se nuk ka nevojë për panik, pasi HMPV është si çdo virus tjetër që prek rrugët e frymëmarrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com