4 të mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç janë proceduar penalisht nga policia.
Blutë bëjnë me dije se të miturit, përmes një arme që e mbante në banesë njëri prej tyre, kryenin vjedhje të ndryshme, rasti më i fundit ishte në një biznes në autostradën Tiranë-Vorë.
Policia bën me dije se i mituri që posedonte armën, bënte foto me të dhe e postonte më pas në rrjetet sociale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, pasi kanë siguruar informacione për 4 shtetas të mitur, të cilët dyshohet se kryenin vjedhje të ndryshme, si dhe njëri prej tyre mbante në banesë, armë zjarri, dhe publikonte foto të saj në rrjete sociale, kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve dhe vënien e autorëve të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.
Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Hand”, si rezultat i të cilit u proceduan penalisht 4 të mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa pjesë automjetesh, në një biznes, në autostradën Tiranë-Vorë.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej 14-vjeçarëve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, me krehër e municion luftarak, të cilën ky shtetas e publikonte dhe në rrjete sociale”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/a.r