Pamje tronditëse nga pika kufitare që ndan Serbinë me Maqedoninë e veriut. Të zhveshur në temperatura të ulëta, policia serbe dëbon emigrantët nga kufiri drejt Maqedonisë së Veriut.
“The guardian” ka publikuar pamje ku duket qartë se si autoritetet serbe po i trajtojnë në mënyrë mizore emigrantët sirianë, dëshmi e përshkallëzimit të keqtrajtimit në kufijtë evropianë.
Media prestigjioze njoftoi se i ka siguruar pamjet nga “LEGIS”, një organizatë jo qeveritare të Maqedonisë së veriut. Videot janë filmuar nga një vendas në afërsi të fshatit Lojanë, afër kufirit me Serbinë.
Raportohet se ky është incidenti i dyti gjatë një periudhe 24-orëshe, ku më shumë se 50 njerëz u detyruan të zhvisheshin nga autoritetet serbe përpara se të ktheheshin me forcë në veri të Maqedonisë. Organizata jo qeveritare pretendon se stafi i saj lokal më vonë arriti të bisedojë me burrat nga siria.
Kthimet “shqetësuese dhe degraduese” erdhën menjëherë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi, që synonte forcimin e kufirit serb kundër operacioneve të kontrabandës me njerëz.
Në lidhje me kete incident reagoi edhe Dunja Mijatović, komisionere për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës.
“Këto incidente nuk janë vetëm shqetësuese, por edhe tregues të një tendence më të gjerë, shqetësuese midis vendeve anëtare të Këshillit të Europës,” deklaroi ajo.
Policia serbe nuk iu përgjigj kërkesave të “the guardian” për koment./m.j