Dy protestues janë filmuar teksa shoqërohen nga efektivë të Policisë së Shtetit, gjatë protestës së opozitës në disa pika në kryeqytet. Ata nuk janë të vetmit, pasi gjatë gjithë orëve të protestës është raportuar për përplasje sporadike mes protestuesve dhe policisë dhe disa të shoqëruar, shkruan A2 CNN. Njëri prej tyre dëgjohet teksa i thotë efektivëve “Kam dalë për protestë, jo për t’u parë me ju”.
Prej orës 17:00, opozita ka bllokuar disa pika nevralgjike në kryeqytet, si Sheshi Wilson, kryqëzimi te Rruga e Elbasanit, “Pallati me Shigjeta”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si pjesë e hapit të radhës të mosbindjes civile.
Gjatë protestës mësohet se i kanë rënë të fikët nënkryetarit të Parlamentit Agron Gjekmarkaj, i cili është dërguar në spital. Sali Berisha akuzoi se Gjekmarkaj është goditur nga efektivë policie, me urdhër të Edi Ramës.