Dhimitër Prifti, punonjës i Gardës së Republikës, ka denoncuar në polici se i kanë vjedhur armën e shërbimit. Sipas 36-vjeçarit, persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe kanë kryer vjedhjen.
Këto janë pamjet kur një person i paidentifikuar futet në banesën e një punonjësi të gardës dhe dyshohet se i ka vjedhur këtij të fundit armën e shërbimit.
Punonjësi i Gardës sapo ka konstatuar se në banesë i mungonte arma e shërbimit ka bërë menjëherë kallëzim në komisariatin nr.1 të policisë së Tiranës.
“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi Dh. P., 36 vjeç, banues në Tiranë (punonjës i Gardës së Republikës), i cili ka kallëzuar se shtetas të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe i kanë vjedhur armën e shërbimit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve’ thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Siç duket edhe nga pamjet një person me kapuç ngjitet në dritaren e banesës së gardistit dhe futet brenda saj, ku ka vjedhur edhe armën. Policia ka sekuestruar edhe kamera të tjera sigurie që mund të bëjnë të mundur identifikimin e personit që ka kryer vjedhjen./m.j