VIDEO/ “Kur plumbat e krimit prekin të pafajshmit”

Ersild Ishmi dhe kunati i tij Arsid Hoxha mbetën të vrarë natën e 19 gushtit në Velipojë.

Breshëria e plumbave që kishte ata si objektiv, lanë të plagosur edhe kamerierin e hotelit ku ndodhi ngjarja. 26-vjeçari Zyber Zagrad është vetëm i pafajshmi i radhës që bie pre e plumbave të krimit.

Vetëm pak kohë më parë, Gledio Muka në Memaliaj mbeti i vrarë gjatë punës së tij si kamerier njëjtë si 20 vjeçari Myzerim Zeneli, i cili u vra në ditën e parë të punës si kamerier.

Po ashtu edhe 58-vjeçarja Mimoza Paja mbeti e vrarë në “Don Bosko”, ku breshëria e plumbave ngatërruan shënjestër.

Por lista e personave të cilët janë gjendur në vendin dhe kohën e gabuar ndër vite mbetet e gjatë, teksa krimi vijon të godasë.

Lidhur me situatën e fundit të krimit në vend, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.

Ai i cilëson këto ngjarje kambanë alarmi që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe se do të jetë në krah të çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në vend.

“Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e Madhe, nuk është thjesht një kambanë alarmi. Kjo kambanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për të siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin”, tha ndër të tjera Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com