Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kohët e fundit është mjaft aktiv në rrjetet sociale duke publikuar video teksa stërvitet në palestër.
Stërvitja është kthyer tashmë në një rutinë për Metën, i cili duket se është ‘frymëzuar’ gjatë ushtrimeve edhe për programin politik të partisë që drejton.
Me një video të re nga palestra, Meta thotë se ekipi i Partisë së Lirisë po punon për të prezantuar një paketë për të mbështetur ata që hapin palestra.
Qëllimi i kësaj pakete sipas Metës ka në fokus mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Në kushtet e asgjësimit të hapësirave të gjelbërta dhe sidomos të terreneve sportive, për qëllime të ndërtimit të shfrenuar dhe betonizimit të kryeqytetit e Durrësit dhe qytete të tjera, palestrat kanë mbetur e vetmja zgjidhje për shumë të rinj, të reja, gra qytetarë për t’u ushtruar me qëllim mbrojtjen e shëndetit.
Garantoj se shumë shpejt PL do ketë një PAKETË SPECIALE për mbështetjen e të gjithë atyre që investojnë për ndërtimin e palestrave dhe mirëmbajtjen e tyre.
Ekipi ynë po përgatit një paketë speciale në mënyrë që t’u vijmë në ndihmë të gjithë të rinjve, të rejave, grave e qytetarëve që të mbrojnë shëndetin e tyre në këto palestra”, shprehet Meta.
/a.r