Ka shkuar në 167 numri i personave të vdekur nga aksidenti ajror në Korenë e Jugut.
Numri është konfirmuar nga Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve, raporton BBC.
Avioni doli nga pista teksa po ulej dhe u përplas me një mur në aeroport duke shpërthyer në flakë.
Fluturimi nga kryeqyteti i Tajlandës Bangkok kishte 181 persona në bord.
BREAKING: Video shows crash of Jeju Air Flight 2216 in South Korea. 181 people on board pic.twitter.com/9rQUC0Yxt8
— BNO News (@BNONews) December 29, 2024
Dy anëtarë të ekuipazhit, një burrë dhe një grua, u shpëtuan nga pjesa e bishtit të aeroplanit që digjej.
Prodhuesi i avionit të rrëzuar, Boeing, ka thënë se është në kontakt me kompaninë Jeju Air për katastrofën.
Në një deklaratë, prodhuesi i avionëve tha: “Ne jemi në kontakt me Jeju Air në lidhje me fluturimin 2216 dhe jemi gati për t’i mbështetur ata.”
“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet që humbën të dashurit dhe mendimet tona mbeten me pasagjerët dhe ekuipazhin.”
Duke kërkuar falje për familjet e viktimave më herët, presidenti i Jeju Air, Kim E-bae tha se kompania nuk kishte identifikuar ndonjë problem mekanik në avion gjatë kontrolleve të rregullta.
Ai tha se do të presë rezultatet e hetimeve të qeverisë për shkakun e incidentit.
Dëshmitarët kanë raportuar se kanë dëgjuar një “shpërthim të fortë” dhe kanë parë shkëndija në motorin e avionit përpara se të rrëzohej.
Yoo Jae-yong, 41 vjeç, i cili po qëndronte pranë aeroportit, tha se pa një shkëndijë në krahun e djathtë të aeroplanit para rrëzimit dhe i tha agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap: “Po i thashë familjes sime se kishte një problem me aeroplanin kur unë dëgjova një shpërthim të fortë”.