VIDEO/ Arrestohet “bossi” shqiptar i drogës në Spanjë, sekuestrohen 820 kg kokainë

Një grup kriminal është shkatërruar nga autoritetet spanjolle në provincën e Valencias. Organizata kriminale ishte e drejtuar nga shqiptarë dhe merrej kryesisht me trafik ndërkombëtar të kokainës.

Nga operacioni janë sekestruar më shumë se 820 kilogramë kokainë dhe 17 persona janë arrestuar, duke përfshirë ‘kokën’ e grupit, i njohur për kontaktet e tij në Amerikën Latine, Evropë dhe Dubai.

Nga kontrollet e kryera janë sekuestruar edhe 226 500 euro cash, tre aparate për zbulimin e pajisjeve elektronike GPS, dhe 13 automjete.

Operacioni është zhvilluar prej dymbëdhjetë muajsh dhe janë kryer tre faza ekzekutimi. Hetimi nisi në fillim të vitit 2023 pasi u mësua për ekzistencën e një organizate kriminale që, e drejtuar nga shtetas shqiptarë me banim në Valencia, i dedikohej trafikut të kokainës në shkallë të gjerë si dhe pastrimit të parave.

Fillimisht u identifikua drejtuesi i organizatës, i cili drejtonte disa kompani me bazë në Spanjë.

Hetuesit identifikuan më pas edhe anëtarët e tjerë të rrjetit kriminal, gjë që i lejoi ata të specifikonin strukturën si dhe zbulimin e disa shtëpive luksoze dhe magazina industriale në pjesë të ndryshme të Valencias që organizata kishte në dispozicion.

Gjithashtu, hetuesit arrestuan edhe anëtarë të organizatës të ngarkuar me sigurimin e logjistikës dhe infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së paligjshme, duke menaxhuar kontratat e qirasë së pronave të ndryshme të kontrolluara.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com