VIDEO / 12 orë kaos në aeroportet e Britanisë, bie sistemi që kushtoi 372 milionë paund

Aeroportet në të gjithë Britaninë e Madhe u zhytën në kaos mbrëmjen e së martës, pas problemeve me sistemin elektronik të kontrollit të pasaportave. Skenat e kaosit zgjatën deri në orët e para të së mërkurës, teksa punonjësit e Home Office u detyruan që kontrollet mbi detajet e udhëtarëve që mbërrinin në vend t’i kryenin manualisht.

Një zëdhënës i Home Office tha se “portat elektronike në aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar u kthyen në funksion pak pas mesnate”.

Kur inxhinierët tanë identifikuan problemin më të gjerë në rrjet në orën 19:44 të së martës mbrëma, sistemi rezervë u aktivizua brenda gjashtë minutave. Në asnjë rast nuk ka pasur rrezik për sigurinë kufitare dhe nuk ka pasur indikacione për aktivitete kibernetike keqdashëse”.

Problemi, i cili tani është rregulluar, ishte në bazën e të dhënave të sistemit të quajtur Border Crossing, i cili, u lançua tre vjet më parë dhe u kushtoi taksapaguesve britanikë 372 milionë paund.

Të gjitha aeroportet kryesore u prekën nga ndërprerja, duke përfshirë Gatwick, Stansted, Manchester, Bristol, Southampton, Edinburgh, Glasgow dhe Aberdeen.

Videot dhe fotot e postuara në rrjetet sociale tregonin radhë shumë të gjata në portat hyrëse të aeroporteve, çka risollën në kujtesë kaosin e shkaktuar nga grevat dhe mungesa e stafit gjatë sezonit të kaluar veror.

Sipas Sky News, udhëtarët mbetën të bllokuar për orë të tëra brenda avionëve pas uljes, ndërsa të tjerë u ankuan se vonesat i bënë ata të humbnin lidhjet me trenat dhe mjetet e tjera të transportit.

Nuk na thanë asgjë. Nuk na dhanë ujë. Foshnjat po qanin”, përshkruan udhëtarët e prekur nga problemi me sistemin.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com