Policia dhe Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga një skemë mashtrimi kibernetike që po qarkullon në aplikacionet e kompanisë “Meta”.
Mësohet se janë konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, të cilat më pas përdoren për vjedhjen e llogarive në këtë rrjet social.
Përveç kujdesit, policia njofton qytetarët që të raportojnë menjëherë në polici nëse kanë rënë viktimë e këtyre mashtrimeve.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/ Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit dhe platformave virtuale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, ka konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, (por jo vetëm).
Në këto mesazhe pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet.
Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive tëpersonave të mashtruar, në menyrë të padrejtë.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë bën thirrje që nqs jeni ose dyshoni se mund të jeni i prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiteni pranë zyrave tona, si dhe këshillon që të mos kryeni asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve, të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj.