“Venecia” u jep të drejtë socialistëve për mandatin e Xhaçkës: Deputetët nuk mund të detyrohen si duhet të votojnë

Komisioni i Venecias ka shqyrtuar sot kërkesën e dërguar nga kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali, lidhur me interpretimin e Kushtetutës sa i përket mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Burime konfidenciale të Komisionit të Venecias thonë për Top Channel se në vendimin që pritet të zbardhet në fillim të javës së ardhshme, konstatohet se Parlamenti dhe deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Në prill të këtij viti, pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, Partia Socialiste tha se ky vendim nuk mund ta detyrojë deputetin si të votojë dhe me forcën e kartonit rrëzoi vendimin e gjykatës.

Opozita e ridërgoi çështjen në Kushtetuese duke kërkuar deklarimin e këtij vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe dhënien një interpretimi përfundimtar të zgjidhjes së konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe pakicës parlamentare të 1/10 e deputetëve.

Gjykata e mori në shqyrtim, por nga ana tjetër Kuvendi pretendoi se duhet të jetë Komisioni i Venecias që të japë një analizë tërësore për gjithë vendimet e marra për këtë çështje, pasi “rezulton që të jetë krijuar një situatë e paqartë juridike në lidhje me mënyrën si duhet të sillen deputetët, kur ndodhen përpara mocionit që mund të paraqiten nga Kryetari i Kuvendit apo një grup deputetësh, prej jo më pak se 1/10 e të gjithë deputetëve”.

Më pas ishte kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali që iu drejtua Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin në lidhje me mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com