Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti ne takim kryetarin e ri të Bashkisë së Askolit, Marco Fioravanti. Dy kryebashkiakët biseduan për bashkëpunimin dhe raportin special mes dy qyteteve. Në shenjë mikpritjeje dhe bashkëpunimi, Veliaj i dhuroi homologut të tij italian “Kullën e Sahatit”.
“Ne jemi pafundësisht mirënjohës për respektin, mikpritjen, solidaritetin, dhe suksesin që Italia ka siguruar për shtetasit tanë. Disa kanë ardhur me gomone, dikush me anije, në kushte jashtëzakonisht të vështira në vitet ‘90. Sot kanë studiuar, kanë filluar punë. Disa prej tyre janë bërë sipërmarrës. Ky raport special mes Italisë dhe Shqipërisë duhet të shkojë jo vetëm nga niveli i shtetarëve tanë të mëdhenj – kryeministri ynë dhe kryeministrja juaj kanë një raport special, – por edhe te niveli i qyteteve, te niveli i njerëzve apo edhe institucioneve, siç janë shkollat apo siç janë punët që ne mund të bëjmë për fëmijët, edhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Ju uroj sukses në fillimin e këtij mandati dhe duke shpresuar shumë që është fillimi i një raporti special mes qyteteve tona”, tha Veliaj.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Marco Fioravanti tha se eksperiencën që ai dhe ekipi i tij kaloi në Tiranë do e çojë edhe në Itali, teksa theksoi se në kryeqytetin shqiptar ka shumë për të mësuar.
“Është vërtet një nder i madh për mua t’ju njihja juve, sepse jeni një kryebashkiak i shkëlqyer. Sidomos nisur nga ky takim, dua që eksperiencën tuaj mund ta sjellim edhe në Itali, në komuna, për ta bërë edhe më të hapur territorin në Ascoli Piceno. Komplimente për gjithçka keni bërë dhe po bëni. Ju ftoj që të vini të na vizitoni në Ascoli Viceno”, u shpreh ai.