Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot mbush 56 vjet. Ky është viti i katër që ai feston larg familjes, pasi ai gjendet në Hagë ku po akuzohet me pretendimin për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Në këtë ditë të shënuar nuk ka munguar një urim i veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Përmes një fotografie që postoi në rrjete sociale, Veliaj shkruan se Thaçi është luftëtari për lirinë dhe përparimin e Kosovës. “Gëzuar ditëlindjen Hashim Thaçi, Presidentit dhe luftëtarit për lirinë dhe përparimin e Kosovës”, shkruan Veliaj.
Më herët, kryebashkiaku Veliaj e ka vizituar Thaçin edhe në burgun e Hagës.
Thaçi ka lindur më 24 prill të vitit 1968 në Burojë të Skenderajit.
Hashim Thaçi është presidenti i pestë i Republikës së Kosovës. Ai ishte kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.
Thaçi ishte gjithashtu kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ndërkohë, ai shërbeu gjithashtu si kreu i qeverisë së përkohshme në fund dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999.
/a.r