Disa ditë më parë, një ngjarje tragjike do ti merrte jetën elektricistit Ylli Boba. Ai u nda nga miqtë në krye të detyrës në fshatin Kovashicë të Bulqizës. Gjatë punës, 32 vjeçari ra në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë mbeti i vdekur ne vend.
Familjarët e tij, në një deklaratë për mediat bënë thirrje për një hetim të plotë nga Prokuroria dhe policia e Dibrës për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ata pretendojnë se ka pasur shkelje të procedurave të sigurisë nga OSHEE-ja.
Erjola Lami e afërme e viktimës dhe njëherësh avokate tha se gjatë kohës që po punohej për riparimin e defektit nuk është bërë ndërprerë energjia elektrike.
Familjarët akuzojnë dhe Inspektoratin e Punës pasi nuk ka ushtruar kontrolle në lidhje me sigurimin teknik, kushtet e punës dhe mungesën e mjeteve të punës në OSHEE. Avokatja shprehet se 32-vjeçari nuk ishte i specializuar për të bërë ndërhyrje në rrjetin 10 mijë volt të kabinave, por ishte i punësuar si mirëmbajtës.
Mesditën e 31 Janarit, policia njoftoi për vdekjen e punonjësit të OSHEE-së, Ylli Boba, duke cilësuar se është rrëzuar nga shkallët teksa riparonte një defekt në kabinën elektrike. Ndërsa familjarët pretendojnë të kundërtën. Sipas tyre shkak nuk është pakujdesia por shkelja e rregullave të punës nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike./m.j