Një aviator amerikan ka vdekur pasi i vuri flakën vetes përpara ambasadës izraelite në Uashington DC.
Ai u identifikua nga policia si Aaron Bushnell, 25 vjeç, nga San Antonio, Teksas.
Oficerët e Shërbimit Sekret të SHBA-së shuan flakët në trupin e tij dhe ai u dërgua në spital të dielën pasdite.
Para se t’i vinte flakën vetes, ai tha se “nuk do të ishte më bashkëpunëtor në gjenocid”.Ai gjithashtu shtoi se ishte “gati të përfshihej në një akt ekstrem proteste”. Pasi i vuri flakën vetes, ai vazhdimisht thërriste “Palestinë e lirë”.
Incidenti ndodhi në orën 13:00 me orën lokale të dielën.Përpara se të vinte flakën, Bushnell u dërgoi email një numri reporterësh dhe faqeve të lajmeve të krahut të majtë dhe anarkist.
“Sot, unë po planifikoj të përfshihem në një akt ekstrem proteste kundër gjenocidit të popullit palestinez”, thuhet në email, duke paralajmëruar se do të ishte “shumë shqetësues”.
Lufta Izrael-Gaza shpërtheu më 7 tetor të vitit të kaluar kur persona të armatosur të Hamasit depërtuan në Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 253 të tjerë.
Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë 29,300 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.