Dorë për dore me bashkëshorten e tij, ish-kryeministri i Holandës, vdiq nga eutanazia.
“Ai vdiq dorë për dore me gruan e tij të dashur Eugenie van Agt-Krekelberg, me të cilën qëndroi për më shumë se 70 vjet”, thuhet në deklaratë.
Çifti ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore prej kohësh. Në vitin 2019, Van Agt pësoi një hemorragji në tru, teksa mbante një fjalim në një ngjarje përkujtimore për palestinezët dhe nuk u shërua kurrë plotësisht.
Van Agt drejtoi qeverinë holandeze nga viti 1977 deri në vitin 1982.
Kristian demokrati u largua nga partia e tij në vitin 2017, për shkak të dallimeve ideologjike me qasjen e qendrës së djathtë ndaj Izraelit dhe palestinezëve.
Kryeministri holandez Mark Rutte, e cilësoi Van Agt si “stër-stërgjyshin e tij në detyrë”.
“Me gjuhën unike, bindjet e tij të qarta dhe prezantimin e mrekullueshëm, Dries van Agt i dha ngjyrë dhe substancë politikës holandeze në një kohë polarizimi dhe rinovimi partiak”, tha Rutte në një deklaratë.
“Ai mori përgjegjësinë administrative në një kohë të trazuar dhe arriti të frymëzojë shumë me personalitetin e tij të mrekullueshëm dhe stilin plot ngjyra”, thanë Mbreti Willem-Alexander, Mbretëresha Maksima dhe Princesha Beatrix në një deklaratë të përbashkët.
Van Agt njihej për gjuhën madhështore dhe pasionin për çiklizmin. Ai u detyrua ta linte këtë hobi në vitin 2019, pasi u rrëzua./m.j