Disa nga bluzat e bardha pranë spitalit Onkologjik në QSUNT janë vënë nën hetim si të përfshirë në një skemë mashtrimi, ku të dëmtuar janë pacientët që vuajnë nga kanceri.
Hetimet e derimëtanishme kanë nxjerrë në pah mënyrën se si kjo skemë funksiononte, teksa të tjera detaje që hedhin dritë mbi mënyrën si të sëmurët trajtoheshin, bëhen të ditura në dosjen hetimore, të cilën Vizion Plus e disponon.
Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim lidhur me skemën e mashtrimit që përdornin me personat e sëmurë me kancer.
Mjeku Edmond Gashi, duke përdorur si argument radhën e gjatë në Onkologjik, orienton pacientët drejt klinikës së tij private, duke iu thënë se situata është emergjente dhe nuk ka kohë për të humbur.
Më pas, në dosjen e zbardhur vërehet sjellja e tij në raport me pacientët, të cilët nga spitali shtetëror i ka kaluar në klinikën e tij private. Në biseda telefonike të zbardhura ai kontaktohet nga infermieret që e vënë në dijeni se pacientët janë me temperaturë të lartë, por ai përgjigjet me një gjuhë aspak etike dhe profesionale duke thënë: Vari l*sht.
Kjo bisedë është e dokumentuar në dosjen hetimore, por saga e shkeljeve nuk përfundon këtu.
Mjeku Edmond Gashi rezulton se nuk i ka vënë në dijeni pacientët që në klinikën e tij private bëhen vetëm skanera, biopsi dhe ndonëse të sëmurët me kancer paguajnë në klinikën e tij për të marrë shërbim në një kohë më të shpejtë, sërish ato do duhet të presin në spitalin shtetëror për të marrë seancat e kimioterapisë.
Po ashtu, mjeku Edmond Gashi merr kartelat e pacientëve dhe i mban në zyrën e tij, ndërsa ligji parashikon se duhet të lihen në punktin e kirugjisë.
/a.r