I ftuar nga gazetarja dhe morderatorja Nisida Tufa në emisionin “Kjo Javë” në News24, shkrimtari Preç Zogaj foli për librin e tij më të ri të titulluar “NATA”, që në ka në boshtin e subjektit vrasjen e një vajze njëzet vjeçare me emrin Marjana nga babai i saj. Duhet theksuar se romani i tij u mirëprit nga lexuesit dhe shënoi sukses menjëherë pas publikimit.
Rreth ngjarjes tragjike pulson realiteti kompleks i jetës shqiptare të ditëve tona, për të cilin shkrimtari u shpreh se ka dashur ta sjellë në veprën e tij si një afresk.
“Një vrasje fillon përpara së të ndodhë, tha ai. Në ndërveprimin e episodeve, ngjarjeve dhe rrethanave që çojnë drejt një tragjedie tronditëse nuk ka një fajtor të vetëm, madje edhe doraci vjen si viktimë dhe instrument kaosit dhe ligjit të më të fortit dhe në zonën suburbane ku familjet e thjeshta, vajzat dhe djemtë e zakonshëm duhet ti bëjnë hesapet me dhembët e xhunglës për të shijuar frytet e lirisë. Të tilla janë me përpjekjet, ëndrrat dhe relacionet e tyre edhe tri motrat e romanit “Nata”, Xhoana, Romina dhe Marjana.
“Lënda e romanit mikson ngjarje reale me ngjarje fiksion”, tha Zogaj. “Duke hyrë me mjetet e letërsisë brenda një ngjarjeje të jashtëzakonshme, qëllimi im ka qenë jo vetëm të përçoj emocione te lexuesit, por edhe ti ftoj ata në një kuptim të drejtë të tragjedisë, jashtë shablloneve të gatshme thjeshtëzuese. Kuptimi i ngurtë ngurtëson edhe reflektimin”, shtoi ai.
Zogaj shpjegoi se shtytjen për shkruarjen së këtij romani tragjik e kishte marrë nga raste reale të rënies së vajzave dhe grave viktima të dhunës në familjeve dhe jashtë familjes nga burrat, ish burrat, të dashurit, ish të dashurit, nga tutorë e kriminelë.
“Një dukuri që më shkakton ndjesinë e një anulimi nga pikëpamje e të qenit pjesë e gjinisë mashkullore dhe të turpit gjithashtu, gjë që del shpesh edhe në krijimtarinë time poetike”, tha ai. Duke shtuar se kishte konsultuar disa dosje gjyqësore për vrasje të grave për të kuptuar më shumë nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe të vetë vrasësve.
Në përgjigje të pyetjes se më kë e kishte diskutuar së pari subjektin e romanit, Zogaj tha se para se të merrte formë subjekti në fjalë, kishin biseduar shpesh me shkrimtarin Rudolf Marku për vrasjet e grave dhe për raste konkrete, tronditëse, që thërrasin në kauzë drejtësinë po e po, publikun po e po, por edhe letërsinë, sidomos letërsinë. Ekziston “zona” ekskluzive e letërsisë që është ajo e shpirtit, e botës së brendshme të personazheve, e ndërlidhjes së dukurive kundërthënëse, e rrëfimit që shmang tendenciozitetin e drejtpërdrejtë. Këto venome, le ti quajmë kështu, respektohen në prozën time, tha autori.
Së fundi, ndërsa u pyet si po pritej libri, çfarë përshtypjesh kishte marrë nga lexuesit e deritanishëm, Zogaj tha me një sens humori se duke konsideruar lexuesit të cilët më kanë shkruar ose telefonuar do të seleksionoj reagimin me të mirë: atë që romani e ka mbajti ngritur kureshtjen dhe dëshirën e tyre për ta lexuar deri në fund dhe i ka emocionuar. Kësaj konsideratë iu bashkua edhe moderatorja e emisionit, e cila i pohoi autorit se e kishte gjetur tronditës romanin “Nata”.