Rusia ka ngritur alarmin pasi ushtria e Ukrainës ka tentuar të kalojë kufirin shtetëror rus dhe të depërtojë në rajonin e Kurskut. Nga analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare, tentativa për të depërtuar në Kursk shikohet si një nga inkursionet më të mëdha në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022.
Sipas Moskës tentativa për infiltrim në territorin rus u krye nga 300 ushtarë ukrainas të brigadës së 22. Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do të ofrojë mbështetje maksimale “në të gjithë sektorët” për rajonin e Kurskut. Guvernatori, Alexei Smirnov, e deklaroi këtë fakt duke raportuar për një bisedë natën vonë që ai pati me presidentin e Rusisë.
“Ne kemi evakuuar mbi 200 persona nga zona aktive e luftimit duke përdorur autobusë dhe automjete personale. Gjatë natës i raportova për situatën aktuale Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ai po e mban situatën nën kontrollin e tij personal. Presidenti theksoi se rajoni do të ketë mbështetje në të gjitha fushat”, tha Alexei Smirnov, Guvernator i Rajonit të Kurskut.
Ministria e Mbrojtjes ruse tha se në 24 orët e fundit ndërhyrja e trupave tokësore ruse dhe bombardimet kishin çuar në eliminimin e 260 ushtarëve ukrainas dhe 50 automjeteve të blinduara, duke përfshirë shtatë tanke.
Sipas ministrisë, bombardimet ruse, të cilat shtrihen në rajonin Sumy të Ukrainës, “parandaluan armikun të avanconte thellë në territorin e Federatës Ruse”. Nga ana e saj, Ukraina nuk ka komentuar mbi ngjarjet e fundit, por ka konfirmuar me anë të Agjencisë së inteligjencës ushtarake faktin se forcat e saj kishin kryer një bastisje në zonën e Tendra Spit të kontrolluar nga Rusia në veriperëndim të Detit të Zi, duke thënë se ato dëmtuan pajisjet dhe fortifikimet dhe shkaktuan viktima.
Guvernatori i emëruar nga Rusia për pjesën e pushtuar të rajonit Kherson të Ukrainës, tha se Kievi kishte sulmuar me 12 anije të shpejtësisë së lartë, tetë prej të cilave transportonin trupa ushtarake.
/a.r