Hetuesit gjermanë po dyshojnë për hyrje të paautorizuar dhe ndërhyrje të mundshme në tubin e furnizimit me ujë në një kazermë të madhe të Forcave Ajrore në perëndim të Gjermanisë, njoftuan autoritetet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Arne Collatz, ka thënë se ka dyshime për përpjekje ose faktikisht hyrje ilegale, si dhe sabotim, në kazermën Wahn jashtë Këlnit, raportoi AP.
Një vrimë është gjetur gjatë natës te gardhi i objektit në një zonë pranë tubit dhe zyrtarët nuk mund ta përjashtojnë kontaminimin, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, Ulrich Fonrobert. Kazerma u mbyll për disa orë në rast se personi apo personat që e kishin bërë atë gjendeshin ende brenda, por askush nuk u gjet dhe portat u rihapën.
Duke folur jashtë kazermës, Fonrobert ka thënë se është ngrehur alarmi nga një raport për “vlera anormale të ujit”.
Nuk u raportua për të sëmurë nga një kontaminim i mundshëm.