Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet në lotin 5 të Unazës së Madhe të Tiranës. Gjatë fjalës së saj, Balluku është shprehur se kanë mbetur vetëm disa detaje për të përfunduar këtë vepër.
Më tej, Balluku është shprehur se në datën 30 Dhjetor janë gati për të bërë inspektimin e fundit që do të jetë momenti i hapjes së këtij aksi që rrethon Tiranën në 360 gradë.
Belinda Balluku: Bashkë me Kryeministrin Rama, tashmë kemi thënë që jemi në detaje. Gjithçka që po ndodh në këto momente është tek detajet. Ndriçuesit i kemi parë që janë vendosur. Mos harroni se kemi disa meraqe përsa i përket mbikalimit të këmbësorëve. Do të merremi me kërkesat që ka komuniteti. Në datën 30 jemi gati për të bërë inspektimin e fundit. Nuk do të kemi reshje në ditët në vijim dhe me qetësi mund të punojmë për atë që na ka ngelur.
Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kalon në zona të banuara, është një vepër që për ne do të kthehet në një praktikë të mirë për t’u ndjekur se si i gjithë kontributi mund të sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në kohë të shkurtër. Ditën e hënë në orën 4 do të jetë një inspektim, por nga ana tjetër do të jetë momenti i hapjes së këtij aksi që rrethon Tiranën në 360 gradë.